Kërkimi për pasardhësin e ri të James Bond vazhdon të ngjallë debat në botën e kinemasë, ndërsa aktori i njohur George Clooney ka zbuluar se kë do të donte të shihte në rolin e agjentit legjendar 007.
Në një intervistë për The Hollywood Reporter, Clooney u shpreh se aktori britanik Callum Turner do të ishte zgjedhja e tij ideale për të pasuar Daniel Craig në sagën e famshme.
“Shpresoj që Callum të përfundojë si Bondi i ri. Mendoj se ai do të ishte i shkëlqyer në atë rol”, deklaroi Clooney.
Aktori amerikan, i cili e drejtoi Turner në filmin “The Boys in the Boat” të vitit 2023, e përshkroi atë si një figurë që i përshtatet profilit klasik të James Bond: “i gjatë, simpatik, i pashëm dhe tipikisht britanik”.
Megjithëse emra si Jacob Elordi, Harris Dickinson dhe Jack Lowden janë përmendur shpesh si kandidatë të mundshëm për rolin, Turner ka preferuar të mos ushqejë spekulimet.
“Di po aq sa dini edhe ju. Nuk kam asnjë informacion shtesë”, u përgjigj ai kur u pyet për mundësinë e interpretimit të Bondit.
Aktori, i njohur nga seriali “The Capture” dhe filmat e serisë “Fantastic Beasts”, tha se e sheh me humor gjithë zhurmën që krijohet rreth emrit të tij.
“Njerëzit më ndalojnë në rrugë dhe më pyesin për këtë, madje edhe persona me të cilët nuk kam folur prej vitesh. Por e vërteta është se nuk di asgjë. E gjej gjithë këtë histori mjaft zbavitëse”, tha Turner.
Ndërkohë, fansat e sagës vazhdojnë të presin vendimin përfundimtar mbi aktorin që do të marrë stafetën nga Daniel Craig, i cili interpretoi James Bond në pesë filma, nga “Casino Royale” në vitin 2006 deri te “No Time to Die” në vitin 2021.
Deri më tani, producentët e serisë nuk kanë bërë asnjë njoftim zyrtar për identitetin e agjentit të ardhshëm 007.


