Surpriza emocionuese që kantautori Flori Mumajesi i bëri Sonit në “Ferma VIP”, përmes një shfaqjeje me 300 dronë në qiell, vijon të jetë një nga momentet më të komentuara të spektaklit.
Pas këtij gjesti të veçantë, këngëtarja ka ndarë emocionet e saj, duke folur hapur për marrëdhënien dhe mbështetjen që ka marrë nga Flori ndër vite.
“Gjithmonë kam pasur nevojë për mbështetjen e Florit. Ka qenë një person shumë i rëndësishëm për mua. Të dy jemi njerëz diskretë, privatë dhe nuk flasim shumë, por shprehemi përmes veprave”, u shpreh Soni.
Ajo tregoi se kishte pritur një surprizë simbolike, por jo diçka kaq madhështore, duke e cilësuar momentin si një nga emocionet më të bukura që ka përjetuar.
“Kur filloi muzika dhe pashë qiellin të ndriçohej, mbeta pa fjalë. Ishte një emocion shumë i madh dhe nuk arrija të shprehja atë që ndjeja. Ishte një surprizë që më preku thellë”, tha këngëtarja.
Soni theksoi gjithashtu se marrëdhënia mes tyre është karakterizuar gjithmonë nga mbështetja reciproke dhe respekti i ndërsjellë.
E pyetur nga moderatorja Arbana Osmani nëse do të ishte e mundur një rikthim mes saj dhe Flor Mumajesit, këngëtarja nuk e përjashtoi këtë mundësi. Ajo u shpreh se disa hapa të rëndësishëm në një marrëdhënie duhet të ndërmerren nga mashkulli, duke lënë të hapur derën për spekulime mbi të ardhmen e raportit të tyre.
Deklarata e saj ka ngjallur menjëherë interes te fansat, të cilët prej vitesh kanë ndjekur me vëmendje historinë mes dy artistëve të njohur.


