Kompania 2A Group ka reaguar pas vendimit të fundit të Gjykata e Lartë lidhur me përplasjen gjyqësore për kuotat në kompaninë Vlora International Airport (VIA), duke e cilësuar atë si një zhvillim të pazakontë dhe në kundërshtim me praktikën e mëparshme gjyqësore.
Sipas kompanisë, Gjykata e Lartë ka prishur vendimin që pezullonte të drejtën e votës dhe të drejtat e tjera të shoqërisë Mabco Construction në VIA, duke rrëzuar kërkesën për masë sigurimi të paraqitur nga VIA dhe “2A Group”.
Ky vendim, sipas reagimit, bie në kundërshtim me qëndrimet e mëparshme të Gjykatës së Tiranës, Dhomës Civile dhe Gjykatës së Apelit, të cilat kishin mbështetur masat kufizuese ndaj Mabco-s deri në shqyrtimin përfundimtar të çështjes.
Përplasja mes palëve lidhet me pretendimet për kuotat në kompaninë që administron Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, ndërsa “2A Group” kërkon në gjykatë përjashtimin e Mabco-s dhe pezullimin e të drejtës së votës së saj deri në një vendim përfundimtar.
Në reagimin publik, “2A Group” pretendon se në 12 vendime të mëparshme gjyqësore është konfirmuar rreziku që i kanosej këtij aseti strategjik për shkak të, sipas saj, tentativave për përfshirjen e strukturave dhe detyrimeve “offshore”.
Kompania shprehet se vendimi i fundit i Gjykatës së Lartë “nuk përbën një zhvillim normal jurisprudencial”, por një situatë që ngre pikëpyetje mbi konsistencën e vendimmarrjes dhe funksionimin e shtetit të së drejtës.
Sipas “2A Group”, është e pashpjegueshme që një instancë e lartë të anashkalojë një numër kaq të madh vendimesh të mëparshme dhe të vendosë ndryshe vetëm për një pjesë të procesit.
Në deklaratë, kompania ngre gjithashtu pretendime për konflikt interesi në trupin gjykues, duke pohuar se kryesuesi i saj kishte lidhje të afërta me përfaqësuesin ligjor të palës tjetër. Sipas saj, ky shqetësim ishte denoncuar më herët pranë institucioneve kompetente.
“2A Group” thekson se beteja ligjore do të vijojë në të gjitha instancat e nevojshme, ndërsa sqaron se vendimi i Gjykatës së Lartë lidhet vetëm me një nga masat e sigurimit të padisë dhe jo me shqyrtimin e themelit të çështjes.


