Pentagoni pritet të zvogëlojë numrin e trupave dhe bombarduesve strategjikë që vendos në dispozicion të NATO, raportoi Fox News duke cituar burime zyrtare.
Sipas raportimit, administrata amerikane po shqyrton uljen e ndihmës ushtarake për aleatët europianë me rreth një të tretën deri në gjysmën e kapaciteteve aktuale. Reduktimet pritet të përfshijnë bombardues strategjikë, avionë luftarakë dhe një pjesë të mjeteve detare.
Media amerikane bëri të ditur se zyrtari i Pentagonit, Alexander Velez-Green, ka informuar për ndryshimet e planifikuara gjatë mbledhjes së Drejtorëve të Politikave të Mbrojtjes të NATO-s, të zhvilluar më 22 maj në Bruksel.
Ndërkohë, zëdhënësi kryesor i Pentagonit, Sean Parnell, deklaroi për Fox News se Shtetet e Bashkuara po i nxisin aleatët europianë të marrin më shumë përgjegjësi për garantimin e mbrojtjes dhe sigurisë së Evropës.


