Një event i madh i arteve marciale të përziera (MMA) pritet të zhvillohet pranë Shtëpisë së Bardhë, në atë që konsiderohet si një nga organizimet më të pazakonta sportive të lidhura me presidencën amerikane.
Ngjarja është planifikuar për më 14 qershor, datë që përkon me Flag Day dhe me 80-vjetorin e lindjes së Donald Trump, i njohur prej vitesh si një mbështetës dhe tifoz i madh i sportit MMA.
Sipas raportimeve nga mediat amerikane, përgatitjet kanë nisur në lëndinën jugore të Shtëpisë së Bardhë, ku ekipe teknike dhe vinça të mëdhenj po ndërtojnë një arenë të përkohshme me kapacitet rreth 5 mijë spektatorë.

Arena pritet të ketë një “kafaz” tetëkëndësh karakteristik për ndeshjet MMA, skenografi me simbolet e flamurit amerikan, ekrane gjigante për publikun dhe hapësira për performanca muzikore gjatë eventit.
Ideja për zhvillimin e një eventi të tillë u përmend fillimisht nga Trump gjatë një fjalimi në Idaho vitin e kaluar, kur ai deklaroi se një ndeshje MMA në ambientet e Shtëpisë së Bardhë do të ishte “diçka madhështore”.
Në atë kohë, Trump kishte folur për një aktivitet me deri në 25 mijë spektatorë dhe duele mes kampionëve të njohur të këtij sporti, megjithatë projekti final duket se është reduktuar në përmasa më të vogla.
Sipas planeve paraprake, ndeshja kryesore e mbrëmjes pritet të jetë një duel për titullin në peshat e lehta mes Ilia Topuria dhe Justin Gaethje.

Një tjetër përballje e rëndësishme e planifikuar është ajo për titullin e përkohshëm në peshat e rënda mes Alex Pereira dhe Ciryl Gane.
Donald Trump ka pasur prej kohësh lidhje të afërta me botën e MMA-së dhe konsiderohet mik i ngushtë i drejtuesve të organizatave më të mëdha të këtij sporti, duke marrë pjesë rregullisht në evente të rëndësishme të arteve marciale të përziera në SHBA.


