MAQEDONIA E VERIUT- Kryeministri Hristijan Mickoski ka folur këtë të dielë të 24 Majit për protestën e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, lidhur me dhënien e provimit në gjuhën shqipe.
Bëhet me dije se Mickoski theksoi se të gjithë duhet të kenë të drejtën të përdorin gjuhën e tyre në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
Mickoski tha se është i gatshëm të ndihmoj në çdo proces, i cili do të mundësoj një arsim më të mirë dhe më të fortë. Kryeministri maqedonas theksoi se shumë shpejt do të arrihet një zgjidhje, për të cilën tha se duhet ta mbështesin të gjithë dhe duhet të kërcejë mbi interesat individuale dhe ato partiake.
“Jam i interesuar dhe i gatshëm të ndihmoj në çdo proces që do të nënkuptojë një arsim më të mirë dhe më të fortë. Nuk hezitoj të diskutoj temat që janë aktuale sot dhe se çdo komunitet ka të drejtë të avancojë dhe të përdorë gjuhën e vet, për sa kohë që është në kuadër të Kushtetutës, ligjeve dhe për sa kohë respektohet shënuesi ynë i identitetit, gjuha maqedonase.
Kjo është arsyeja pse ne do të arrijmë shumë shpejt në një zgjidhje që duhet ta mbështesim të gjithë dhe që do të kërcejë mbi interesat individuale partiake dhe politike dhe tendencat për të ngecur në një kurth tjetër nacionalist”, tha Mickoski.
Studentët shqiptarë protestuan në Shkup për mundësimin e mbajtjes së provimit të jurisprudencës në shqip, përveç maqedonishtes. Me pankarta studentët u nisën nga Ura e Gurit drejt Ministrisë së Drejtësisë. Ata kërkuan që institucionet shtetërore ta zbatojnë Ligjin e gjuhëve dhe zëri i tyre të dëgjohet./Radar.al


