Një radio lokale në Mbretëria e Bashkuar ka kërkuar falje pasi transmetoi gabimisht lajmin për vdekjen e Charles III, si pasojë e një defekti teknik në sistemin e saj kompjuterik.
Bëhet fjalë për Radio Caroline, një stacion radiofonik në juglindje të Anglisë, i cili pranoi se gjatë transmetimit ishte aktivizuar aksidentalisht një program i posaçëm i përgatitur paraprakisht për rastin e vdekjes së monarkut britanik.
Sipas drejtorit të radios, Peter Moore, incidenti ndodhi për shkak të një problemi në kompjuterin qendror të studios, duke bërë që të transmetohej një lajm i pavërtetë mbi vdekjen e mbretit.
Ai sqaroi se programi i quajtur “Monarku”, i cili mbahet i gatshëm nga shumë media britanike për situata të jashtëzakonshme, u aktivizua gabimisht.
Menjëherë pas incidentit, radioja publikoi një kërkimfalje zyrtare si në transmetim ashtu edhe në rrjetet sociale, duke e cilësuar ngjarjen një gabim teknik dhe duke theksuar se nuk kishte asnjë bazë reale për lajmin e transmetuar.


