Avokati i ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, Luka Mišetić, ka kritikuar ashpër efikasitetin e Gjykatës së Apelit që funksionon brenda Dhomave të Specializuara në Hagë.
Përmes një postimi në platformën X, Mišetić ka deklaruar se gjatë pesë viteve e gjysmë që Thaçi ndodhet në paraburgim, të gjitha ankesat e paraqitura nga mbrojtja janë refuzuar nga gjykata. Sipas tij, bilanci i këtyre ankesave është “0 me 40” në favor të prokurorisë.
“Për hir të plotësisë lidhur me efektivitetin e ankesave në gjyqin për krime lufte ndaj Hashim Thaçi: Mbrojtja në këtë gjykim tashmë ka paraqitur (dhe përfunduar) 40 ankesa ndërmjetëse. Paneli i Apelit deri më tani i ka refuzuar të gjitha. Kjo do të thotë 0 nga 40 përgjatë pesë viteve e gjysmë”, ka shkruar ai.
Ndërkohë, gjykimi ndaj Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ka nisur më 3 prill 2023, ndërsa vendimi përfundimtar pritet të shpallet më 20 korrik 2026.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar dënime deri në 45 vite burg për secilin nga të akuzuarit, kërkesë e cila është kundërshtuar nga mbrojtja, që e konsideron të pabazuar dhe të tepruar.


