Gjatë një stërvitjeje në Kumanovë, pjesëtarë të Forcave Speciale janë filmuar duke brohoritur në gjuhën maqedonase “Këtu është Maqedoni, le ta dinë të gjithë”, ndërsa lëviznin të shoqëruar nga mjete policore në zonë.
Pamjet, të shpërndara gjerësisht në rrjetet sociale, tregojnë forcat speciale gjatë patrullimit pranë zonës së tregut dhe Lagjes së Trimave, ku dëgjohen edhe thirrje të tjera si “Do të luftojmë për Maqedoninë”. Aktiviteti është zhvilluar si pjesë e një stërvitjeje në terren, jashtë ambienteve të zakonshme të kazermave, gjë që ka tërhequr vëmendje publike.
Ngjarja vjen pak ditë përpara një proteste të paralajmëruar nga studentët shqiptarë në Maqedonia e Veriut, të cilët pritet të dalin në protestë më 18 maj, duke kërkuar që provimi i jurisprudencës të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe.


