BRITANI E MADHE- Kompozitori i njohur britanik Andrew Lloyd Webber, ka shprehur entuziazmin e tij pasi ankandi i koleksionit privat të verërave ka arritur të mbledhë mbi 500 mijë paund, të cilat do të shkojnë në ndihmë të një organizate që mbështet fëmijët në zona të pafavorizuara të Mbretërisë së Bashkuar përmes edukimit muzikor.
Koleksioni, i titulluar “Final Treasures from the Wine Cellar of Andrew Lloyd Webber”, u shit në ankandin e organizuar nga shtëpia prestigjioze Christie’s, duke siguruar plot 517,910 paund për organizatën Music in Secondary Schools Trust (MISST).
Sipas Christie’s, shishet e nxjerra në ankand vinin nga bodrumi i pronës së kompozitorit në Hampshire dhe përfshinin verëra të rralla nga disa prej vreshtave më të njohura dhe vjeljeve më cilësore të shekullit të kaluar.
Vetë Lloyd Webber, i cili së fundmi ka folur për procesin e tij të trajtimit dhe rehabilitimit nga alkooli, u shpreh se ndihej “plotësisht i entuziazmuar” që kjo iniciativë ka sjellë një shumë kaq të konsiderueshme për programin “Muzika në shkolla”.
“Thjesht, muzika fuqizon të rinjtë,” deklaroi ai, duke theksuar se ajo ndikon pozitivisht në arritjet akademike, aftësitë sociale dhe shëndetin mendor të nxënësve.
Ai shtoi gjithashtu se, pavarësisht përfitimeve të provuara, qeveritë e njëpasnjëshme në Mbretërinë e Bashkuar nuk kanë investuar sa duhet në këtë fushë.
Nga ana tjetër, drejtoresha ekzekutive e MISST, Rachel Landon, u shpreh se fondet e mbledhura do të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë për mijëra fëmijë, duke mundësuar zgjerimin e programit dhe mbështetjen e më shumë shkollave.
Sipas saj, organizata synon të mbështesë mbi 50 mijë nxënës deri në vitin 2028, ndërsa aktualisht mbi 140 shkolla ndodhen në listë pritjeje./Radar.al


