Kursi i këmbimit të euros me lekun ka shënuar një rritje të ndjeshme ditën e premte.
Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye me 100.19 lekë, duke arritur nivelin më të lartë që prej datës 5 gusht.
Pas një rënieje graduale që pati nisur prej asaj date, euro zbriti deri në minimumin historik prej 99.6 lekësh më datë 20 gusht.
Sipas agjentëve të këmbimit valutor, shkruan Monitor, as rritja e ditës së premte nuk lidhet me ndërhyrje të Bankës së Shqipërisë, por me një rritje të përkohshme të kërkesës së tregut për valutë. Rritja të shpejta dhe afatshkurtra të kursit të euros kanë qenë të shpeshta në vitet e fundit, veçanërisht në periudhat pas rënieve drastike të tij.
Një kurs i ulët i euros krijon nxitje për të shfrytëzuar momentin dhe për të blerë, nga subjektet që mund të kenë nevojë për valutë në aktivitetin e tyre. Edhe rritja e ditës së premte duket të ketë tipare të tilla.
Rritja e kursit të euros është reflektuar edhe në kursin e valutave të tjera kryesore ndaj lekut. Edhe dollari amerikan u kthye sot sipër nivelit të 90 lekëve.


