Një operacion i përbashkët mes autoriteteve shqiptare dhe austriake, me mbështetjen e Europol dhe Eurojust, ka çmontuar një rrjet të gjerë mashtrimi online që operonte përmes call center-ave në Tiranë.
Hetimi, që zgjati mbi dy vite, çoi në arrestimin e 10 personave, kontrollin e disa ambienteve dhe sekuestrimin e rreth 900 mijë eurove cash, të gjetura në qese, si dhe qindra pajisjeve elektronike.
Sipas Europol, rrjeti kriminal kishte ngritur struktura të sofistikuara që imitonin kompani legjitime investimesh. Përmes reklamave mashtruese në internet dhe rrjete sociale, viktimat josheshen me premtime për fitime të larta.
Pas kontaktit fillestar, atyre u caktoheshin “agjentë” që paraqiteshin si këshilltarë financiarë, duke përdorur edhe programe me akses në distancë për të kontrolluar pajisjet e viktimave dhe për t’i bindur të investonin shuma gjithnjë e më të mëdha.




Në realitet, fondet nuk investoheshin, por kalonin në një skemë ndërkombëtare pastrimi parash. Dëmi total i shkaktuar nga kjo skemë vlerësohet të paktën 50 milionë euro.
Rrjeti ishte i organizuar në mënyrë të ngjashme me një korporatë, me deri në 450 persona të përfshirë në role të ndryshme si marketing, shërbim klienti, IT dhe menaxhim. Operatorët punonin në disa gjuhë për të fituar besimin e viktimave në vende të ndryshme.
Hetimi nisi nga autoritetet austriake në vitin 2023, pas identifikimit të shumë viktimave në Vjenë. Më pas, përmes Europol, u përfshinë edhe autoritetet shqiptare, duke çuar në një aksion të koordinuar më 17 prill 2026.
Gjatë operacionit u sekuestruan 891,735 euro cash, 443 kompjuterë, 238 telefona, laptopë dhe pajisje të tjera ruajtjeje të dhënash. Viktimat e skemës rezultojnë nga disa vende, përfshirë Italinë, Gjermaninë, Greqinë, Spanjën, Kanadanë dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Autoritetet vijojnë analizën e të dhënave të sekuestruara për të zbuluar më tej shtrirjen e plotë të aktivitetit kriminal.

