Google ka lidhur një marrëveshje me Pentagoni për përdorimin e teknologjive të saj të inteligjencës artificiale në projekte të klasifikuara, duke iu bashkuar një numri në rritje kompanish të Silicon Valley që bashkëpunojnë me ushtrinë amerikane.
Sipas raportimeve të The Guardian dhe The Information, marrëveshja i lejon Pentagonit të përdorë modelet e AI të Google për qëllime qeveritare, përfshirë detyra të ndjeshme si planifikimi i misioneve dhe identifikimi i objektivave në rrjete të klasifikuara.
Ky zhvillim e vendos Google në të njëjtën linjë me kompani si OpenAI, Anthropic dhe xAI, të cilat gjithashtu kanë lidhur kontrata me Pentagonin, me vlera të konsiderueshme gjatë vitit 2025.
Raportohet se qeveria amerikane ka ushtruar presion ndaj kompanive të AI për të përshtatur teknologjitë e tyre për përdorim në sisteme të klasifikuara, duke përfshirë edhe modifikimin e filtrave dhe parametrave të sigurisë sipas kërkesave zyrtare.
Marrëveshja përfshin kufizime që ndalojnë përdorimin e AI për mbikëqyrje masive brenda vendit ose për armë autonome pa kontroll njerëzor. Megjithatë, ajo parashikon që kompania nuk ka autoritet të ndërhyjë në vendimet operative të qeverisë.
Ky bashkëpunim ka nxitur debat të brendshëm në Google, ku disa punonjës kanë shprehur shqetësime se teknologjia e zhvilluar prej tyre mund të përdoret në mënyra të dëmshme ose joetike, duke thelluar tensionet mes sektorit privat dhe institucioneve ushtarake.


