Shkrimtari dhe akademiku Rexhep Qosja ka lënë një testament të shkruar në vitin 2016, ku shpreh në detaje dëshirat e tij për mënyrën e varrimit dhe reflektimet mbi jetën dhe veprimtarinë e tij.
Në tekstin e drejtuar nipit të tij Valjet, Qosja kërkon që të varroset pa ritual fetar dhe pa praninë e përfaqësuesve zyrtarë apo ceremonive publike. Ai thekson se dëshiron një varrim krejtësisht familjar, pa fjalime, pa media dhe pa lule, duke kërkuar që të prehet pranë bashkëshortes së tij, Shpresës.
Qosja shprehet se gjatë jetës së tij ka mbështetur mendimin shkencor, progresin shoqëror dhe lirinë, duke mbajtur shpesh qëndrime kritike ndaj pushtetit dhe zhvillimeve politike. Megjithatë, ai thekson se ka jetuar dhe vepruar me bindjen se ka bërë mirë dhe se ka kontribuar në të mirën e shoqërisë.
Në testament, ai reflekton edhe për veprimtarinë e tij intelektuale dhe politike, duke deklaruar se ia ka kushtuar jetën lirisë dhe zhvillimit demokratik të shqiptarëve, ndërsa shpreh bindjen se ka vepruar me ndërgjegje të pastër.
Dokumenti mbyllet me një mesazh të qetë, ku Qosja shprehet se largohet nga jeta në paqe dhe i bindur në rrugën që ka ndjekur.
TESTAMENTI
NIPIT TIM VALJETIT
I CILI U KUJDES PËR JETËN TIME DHE PREJ TË CILIT
KËRKOJ TË KUJDESET EDHE PËR VARROSJEN TIME
Meqenëse kam jetuar duke besuar në mendimin shkencor, në ngritjen shpirtërore e në përparimin shoqëror, që e bën të mundshëm ai, dua të jem i varrosur pa ritual fetar.
Meqenëse kam jetuar dhe kam menduar, në pjesën më të madhe të kohës, duke shprehur pikëpamje kritike ndaj sundimtarëve e pushteteve të tyre, dua të jem i varrosur pa kurrfarë pranie zyrtare.
Varrimin tim dua ta bëjnë vetëm familjarët e mi.
Meqenëse jam kujdesur të jetoj thjesht, ashtu thjesht dua të jem edhe i varrosur: pa fjalime, pa medie, pa lule, afër varrit të gruas sime Shpresës.
Vdes i qetë.
Meqenëse jetën, krijimtarinë mendore dhe veprimtarinë politike ia kam kushtuar lirisë, bashkimit dhe mirëqenies demokratike të popullit shqiptar mund të them se as Shqipërisë shtetërore e as Kosovës, të sotmes e ardhmërisë së tyre, nuk u kam mbetur borxh. Në qoftë se Kosova më ka mbetur borxh mua – këtë do të mund ta thonë historianët e ardhshëm të letërsisë, të kulturës e të mendimit politik shqiptar.
Nuk mendoj se vdes pa asnjë mëkat.
Meqenëse jam rritur, kam jetuar e kam punuar në kushte politike e shoqërore, që edhe pas çlirimit të Kosovës e të krijimit të shtetit të saj, ishin shumë të vrazhda, nuk mund të them se mospajtimet e mia të shprehura ishin gjithnjë të liruara prej disa gjykimeve e vlerësimeve më të ashpra se ç’do të duhej. Megjithatë, varrosjen e pres i bindur se kam jetuar, krijuar e vepruar duke bërë mirë, duke predikuar të mirën e duke përhapur njerëzillëkun.
Këto mendime i shkrova duke qenë i vetëdijshëm dhe mendjeqartë.
Gjyshi yt, Valjet
Rexhep Qosja
(nënshkrimi)
Prishtinë, 30.4.2016


