Ngjarja tragjike e humbjes së jetës së 19-vjeçares shqiptare, Myrto, ka tronditur opinionin publik në Greqi. E reja dyshohet se ka ndërruar jetë pas një ataku kardiak, i cili sipas hetimeve paraprake lidhet me konsumimin e lëndëve narkotike.
Tre persona, miq të saj, janë arrestuar nga autoritetet greke, ndërsa dyshohet se kanë qenë të përfshirë në ngjarjen që çoi në vdekjen e të resë.
Në një intervistë për mediat greke, nëna e vajzës ka rrëfyer mes dhimbjes humbjen e rëndë, duke kërkuar drejtësi për të bijën. Ajo shprehet se jeton çdo ditë me pyetje pa përgjigje për atë që ndodhi natën fatale.
“Pse e lanë të vdiste? Pse e hodhën tutje si plehra? Dua që ata të ndëshkohen,” – u shpreh ajo mes lotësh, duke kujtuar vajzën si një njeri me shpirt të mirë dhe të dashur.
Nëna e Myrtos, e cila punon si infermiere në një spital në ishullin Kefalonia, ka treguar se u përball me tragjedinë pa e ditur, kur u thirr në urgjencë natën e ngjarjes dhe pa vajzën e saj pa jetë.
Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë, ndërsa familja kërkon drejtësi për humbjen e parakohshme të 19-vjeçares.


