Drejtori i Zjarrfikëses së Tiranës, Shkëlqim Goxhaj, ka dhënë një deklaratë për mediat lidhur me zjarrin që përfshiu një pallat 12-katësh pranë QSUT, duke sqaruar se vatra e zjarrit ka nisur në katin e parë të ndërtesës, në një biznes.
Sipas tij, flakët janë përhapur me shpejtësi për shkak të fasadës së objektit, e cila ka ndikuar ndjeshëm në intensifikimin e zjarrit dhe përhapjen vertikale të tij në kate të tjera.
“Autoshkallat janë në vendngjarje, janë duke punuar. Janë tre autoshkalla, dy në aktivitet dhe një në pjesën veriore. Kemi futur të gjitha mjetet e nevojshme për shuarjen e zjarrit,” është shprehur Goxhaj.
Ai theksoi se ekipet janë përqendruar në të dy skajet e vatrës së zjarrit, si dhe në tarracën e pallatit, për të shmangur përhapjen e mëtejshme.
Sipas tij, deri tani nuk raportohet për pasoja fatale, ndërsa pas vendosjes nën kontroll të situatës do të nisin edhe ekspertizat për të përcaktuar shkaqet e sakta të rënies së zjarrit.


