Në GJKKO u zhvillua këtë të martë ballafaqimi mes dy bashkëpunëtorëve të drejtësisë, Nuredin Dumani dhe Erjon Alibej, në kuadër të dosjes së bujshme “Plumbi i Artë”.
Seanca u përqendrua në vrasjen e Bujar Çela, vëllai i Talo Çela, ku të dy të pandehurit konfirmuan deklarimet e tyre të mëparshme, pa kundërshti mes tyre.
Dumani ripërsëriti versionin e tij për organizimin dhe ekzekutimin e atentatit, duke përshkruar mënyrën e sigurimit të informacionit dhe momentin e sulmit me armë zjarri. Nga ana tjetër, Alibej detajoi përfshirjen e personave të tjerë në fazat e para të planifikimit, duke përmendur edhe emra si Henrik Hoxha dhe Skerdi Tase.
Në të njëjtën seancë u zhvillua edhe një ballafaqim tjetër mes Hoxhës dhe Tases, ku u trajtua edhe atentati ndaj Agim Boriçi, i mbetur në tentativë në vitin 2018. Hoxha foli për konfliktet e hershme me familjen Boriçi, duke i lidhur ato me përplasjet e mëvonshme kriminale.
Prokurori i çështjes, Behar Dibra, u shpreh se ballafaqimi nuk solli elemente të reja, duke theksuar se procesi nuk u zhvillua plotësisht sipas pritshmërive.
Dosja “Plumbi i Artë” konsiderohet një nga hetimet më të mëdha të SPAK, duke zbardhur një seri vrasjesh dhe atentatesh të ndodhura ndër vite, kryesisht në zonën e Elbasanit, si pjesë e një zinxhiri të gjatë hakmarrjesh mes grupeve kriminale.
Dëshmitë e Dumanit dhe Alibejt kanë qenë kyçe për hetimet, duke ndihmuar në identifikimin e autorëve dhe mënyrës së organizimit të krimeve, si dhe në dokumentimin e disa prej ngjarjeve më të rënda kriminale në vend.


