Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Sarandë, ku një shtetas grek, Pavlos Simeriontakis, u dërgua mbrëmjen e së premtes në Spitalin e Sarandës pa shenja jete nga disa persona që e shoqëronin, të cilët më pas u larguan menjëherë nga vendngjarja.
Burime policore bëjnë me dije se shokët e tij u lokalizuan më vonë dhe u morën në pyetje nga autoritetet. Ata deklaruan se Simeriontakis ndodhej në Shqipëri së bashku me persona të tjerë, të cilët merren me tregtinë e sendeve të kuzhinës.
Sipas hetimeve paraprake, ditët e fundit grupi kishte qëndruar në Fier për aktivitet tregtar, ndërsa një ditë më parë ndodhej në Konispol, nga ku planifikonin të largoheshin drejt Greqisë përmes Qafë Botës. Para nisjes, 48-vjeçari nuk u ndje mirë dhe humbi jetën.
Shokët e tij kanë deklaruar se viktima vuante prej vitesh nga diabeti. Autoritetet shëndetësore dhe forcat e rendit po presin rezultatin e ekspertizës mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun përfundimtar të vdekjes.
Ngjarja ka ngritur shqetësime për mënyrën si u trajtua situata dhe sjelljen e personave që e shoqëronin, duke nxjerrë në pah nevojën për përgjegjësi dhe kujdes maksimal ndaj personave me probleme shëndetësore.


