Një nëndetëse britanike me energji bërthamore, e pajisur me raketa Tomahawk, është vendosur në Detin Arabik dhe ndodhet në gatishmëri për një urdhër të mundshëm sulmi, në rast të përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit në Lindjen e Mesme.
Sipas raportimit të Daily Mail, nëndetësja HMS Anson ka marrë pozicion strategjik në rajon dhe pret urdhra nga Londra. Megjithatë, Reuters thekson se informacioni nuk është konfirmuar nga burime të pavarura, ndërsa Ministria britanike e Mbrojtjes nuk ka komentuar.
HMS Anson është e pajisur me raketa Tomahawk Block IV dhe silura Spearfish, duke i mundësuar të kryejë sulme me rreze të gjatë dhe të operojë në kushte me intensitet të lartë. Ajo thuhet se është nisur nga Perth, Australi, dhe ka përshkuar rreth 8,850 kilometra për të mbërritur në Detin Arabik.
Sipas raportit, nëndetësja del në sipërfaqe në intervale të rregullta për të komunikuar me selinë e forcave të armatosura britanike në Northwood, ndërsa çdo vendim për sulm duhet të miratohet nga kryeministri britanik Keir Starmer.
Ky zhvillim vjen në një kohë të rritjes së pranisë ushtarake ndërkombëtare në rajon, teksa tensionet mes SHBA-së dhe Iranit vijojnë të ndikojnë në sigurinë e korridoreve detare, veçanërisht në Ngushticën e Hormuzit.


