Një 19-vjeçar shqiptar, Renols Lleshi, ka humbur jetën pasi ra në një bosht ventilimi në një kantier ndërtimi në Acton, Londër, në një ngjarje që autoritetet britanike e kanë cilësuar si “plotësisht të shmangshme”.
I riu po ndihmonte në çmontimin e skelave në kopshtin e çatisë në katin e 12-të të një ndërtese në zonën pranë Ark Soane Academy, në Mill Hill Road. Sipas hetimeve, ai shkeli mbi një bosht ventilimi, mbulesa e të cilit u shemb, duke e bërë të binte gjashtë kate më poshtë, çka i shkaktoi vdekjen.
Autoriteti britanik për Shëndetin dhe Sigurinë në Punë konstatoi se hapësira ishte mbuluar vetëm me materiale të dobëta, si karton gipsi dhe shkumë çatie, duke mos garantuar sigurinë e nevojshme. Gjithashtu, u zbulua se inspektimet rutinë nuk përfshinin zonën e çatisë, çka bëri që rreziku të mos identifikohej dhe të mos jepej asnjë paralajmërim për punëtorët.
Familja e të ndjerit u shpreh se fakti që ngjarja ishte e shmangshme e bën humbjen edhe më të rëndë, duke theksuar se asnjë vendim nuk mund ta rikthejë djalin e tyre.
Kompania “Jerram Falkus Construction Limited”, punëdhënësi i viktimës, pranoi shkeljen e rregullave të sigurisë dhe u gjobit me 42,200 paund, si dhe u detyrua të paguajë 2,000 paund shtesë dhe 5,000 paund për shpenzime gjyqësore.


