Rreth 200 pasagjerë shqiptarë përjetuan momente paniku dhe një odise të gjatë udhëtimi, pasi fluturimi i kompanisë Wizz Air, i nisur nga Tirana drejt Genovës, nuk arriti të ulej për shkak të kushteve të vështira atmosferike.
Pilotët tentuan dy herë uljen në aeroportin e Genovës, por pa sukses për shkak të motit të keq. Si pasojë, avioni u detyrua të devijonte drejt Torinos, ku u ul rreth orës 13:00.
Megjithatë, vështirësitë për pasagjerët nuk përfunduan me uljen. Ata mbetën të bllokuar për disa orë në aeroportin e Torinos, duke u përballur me mungesë informacioni dhe paqartësi për vijimin e udhëtimit. Sipas burimeve, edhe pse u ishte premtuar transport me autobus drejt Genovës, për një kohë të gjatë nuk pati zgjidhje konkrete.
Vetëm pas ndërhyrjes dhe publikimit të rastit në media, situata nisi të zgjidhet. Pasagjerët u transportuan me autobus dhe arritën më në fund në destinacionin e tyre në Genova.
“Para një gjysmë ore kemi arritur në Genova. Madje erdhën të pyesnin kush kishte dhënë informacion për mediat shqiptare,” u shprehën disa prej tyre.
Ngjarja nxjerr në pah vështirësitë dhe mungesën e koordinimit në raste emergjente, ndërsa pasagjerët u detyruan të përballen me orë të tëra pasigurie dhe pritjeje larg destinacionit të tyre fillestar.


