Stërvitjet e ushtrisë serbe pranë kufirit me Kosovën kanë ngjallur shqetësim te banorët e zonës së Gjilanit, por sipas KFOR-it, ato nuk paraqesin kërcënim për sigurinë.
Në një reagim për mediat, misioni i udhëhequr nga NATO bëri të ditur se aktiviteti i Forcat e Armatosura të Serbisë ishte i planifikuar paraprakisht dhe u zhvillua brenda territorit të Serbisë. Stërvitja përfshinte edhe parashutistë të hedhur nga helikopterë në zonën e Muhovcit.
KFOR theksoi se po e monitoron nga afër situatën përgjatë Vijës Kufitare Administrative dhe në gjithë territorin e Kosovës, duke ruajtur komunikim të vazhdueshëm me institucionet lokale dhe me drejtuesit e ushtrisë serbe, me qëllim garantimin e stabilitetit.
Megjithatë, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, e cilësoi këtë aktivitet si shqetësues dhe provokues për banorët e zonës. Sipas tij, prania e forcave ushtarake dhe mjeteve ajrore pranë zonave të banuara krijon pasiguri dhe tension të panevojshëm.
Në një reagim publik, ai u bëri thirrje institucioneve vendore dhe ndërkombëtare që të ndjekin me vëmendje situatën dhe të ndërmarrin hapa konkretë për të siguruar qetësinë dhe stabilitetin në rajon.


