Një zhvillim i ri ka ndodhur në procesin gjyqësor për vrasjen e 22-vjeçares shqiptare Ilaria Sula, ku i akuzuari Mark Antony Samson ka dëshmuar para Gjykatës së Krimeve të Rënda në Romë.
Gjatë seancës në ambientet e sigurisë së lartë të “Rebibbia Prison”, 24-vjeçari pranoi se nuk mund të shpjegojë plotësisht veprimet e tij në momentin e krimit:
“Nuk mund ta shpjegoj çfarë më ndodhi. Ishte sikur një perde më kishte bllokuar sytë, nuk mbaj mend sa herë e godita, por padyshim më shumë se dy herë,” deklaroi ai.
Ngjarja ndodhi më 23 mars 2025, në apartamentin e Samsonit në Romë, ku Ilaria u qëllua për vdekje me thikë. I akuzuari pranoi gjithashtu se në dëshmitë e mëparshme kishte gënjyer për të mbrojtur nënën e tij, e cila më parë ishte përfshirë në hetim dhe dënuar për fshehje të kufomës. Ai shtoi se viktima ishte e zemëruar dhe e zhgënjyer për shkak të gënjeshtrave të tij lidhur me studimet universitare.
Në seancë ishin të pranishëm prindërit e viktimës, të cilët përjetuan momente shumë të vështira emocionale. Nëna e Ilaria Sulaj u detyrua të largohej për disa minuta nga salla për shkak të gjendjes së rënduar, ndërsa babai theksoi se familja nuk kërkon hakmarrje, por drejtësi: “Nuk po kërkoj hakmarrje, vetëm drejtësi. Dhe drejtësia do të thotë burgim i përjetshëm.”


