Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se po shqyrton një rol të ri për diplomatin Richard Grenell, pasi ky i fundit u largua nga drejtimi i John F. Kennedy Center for the Performing Arts.
Gjatë një konference për shtyp në Qendrën Kennedy, pas një dreke me anëtarët e bordit, Trump theksoi se Grenell nuk është shkarkuar nga detyra, por kishte drejtuar institucionin vetëm për një periudhë të shkurtër.
“Po shoh për detyrën tënde të ardhshme sepse u përhap historia se ai u shkarkua. Nuk u shkarkua. Ai ishte këtu për një kohë të shkurtër, rreth një vit. Dua ta falënderoj sepse është një mik i vjetër dhe ka qenë i jashtëzakonshëm”, tha Trump.
Presidenti amerikan kujtoi gjithashtu kohën kur Grenell shërbeu si ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Gjermani, duke thënë se ish-kancelarja Angela Merkel ishte e kënaqur kur ai u emërua në atë post, por edhe kur u largua nga detyra.
Sipas Trump, Grenell nuk ishte një ambasador tipik, pasi sipas tij ai mbrojti fort interesat amerikane. Ai kujtoi gjithashtu se më pas e kishte emëruar Grenell në krye të inteligjencës amerikane, detyrë që, sipas presidentit, ai e kreu me sukses.


