Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka ndërmarrë sot, më 12 mars, një aksion kontrolli në Tiranë, ku ka bllokuar një sasi të madhe produktesh ushqimore që nuk përmbushnin standardet e sigurisë.
Gjatë inspektimit në magazinën qendrore të kompanisë KMY, autoritetet sekuestruan 738 kilogramë mish dhe gjoks pule. Sipas AKU-së, produkti ishte nxjerrë për proces shkrirjeje, por ruhej në kushte që nuk përputheshin me rregullat e higjienës dhe të magazinimit të ushqimeve.
Institucioni njofton se po ndiqen procedurat për asgjësimin e kësaj sasie mishi, me qëllim shmangien e çdo rreziku të mundshëm për shëndetin e konsumatorëve.
Ndërkohë, gjatë një kontrolli në një baxho tjetër, inspektorët sekuestruan edhe 328.7 kilogramë djathë dhie, i cili ishte ruajtur në kushte të papërshtatshme higjienike. Sipas autoriteteve, këto produkte mund të përbënin rrezik për shëndetin e qytetarëve nëse do të hidhen në treg për konsum.
Ky aksion vjen pak ditë pas një rasti tjetër në Shkodër, ku u bllokuan 104 ton misër blegtoral i importuar nga Serbia, për të cilin dyshohet se përmbante nivele të larta aflatoksine, një substancë toksike e rrezikshme për shëndetin.
Rasti u evidentua pasi produkti ishte zhvendosur nga magazina pa respektuar procedurat përkatëse të sigurisë, duke ngritur shqetësime lidhur me kontrollin e produkteve ushqimore të importuara.
AKU u bën thirrje operatorëve të tregut të respektojnë rregullat e sigurisë ushqimore, ndërsa paralajmëron se kontrollet dhe masat ndëshkuese ndaj shkelësve do të vijojnë.


