Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Gazmend Buçpapaj, i dyshuar për vrasjen me thikë të të riut Egli Pashollari.
Buçpapaj u arrestua disa ditë më parë në Tropojë, ku qëndronte i fshehur në një banesë. Gjatë seancës, avokati i tij mbrojtës, Sokol Hyseni, kërkoi falje në emër të klientit dhe kërkoi një masë më të lehtë sigurie, duke pretenduar se ai është vetëdorëzuar dhe nuk paraqet rrezik arratisjeje.
Në dëshminë e tij, Buçpapaj ka pretenduar se veproi në kushtet e vetëmbrojtjes. Sipas tij, konflikti nisi pasi rruga iu bllokua dhe, pas një shkëmbimi fyerjesh, situata degradoi në përleshje fizike. Ai ka deklaruar se e goditi me thikë Pashollarin gjatë sherrit.
Ngjarja ndodhi rreth orës 15:40 në rrugën “Kongresi i Lushnjes” në Tiranë. Sipas hetimeve paraprake, Pashollari u sulmua pasi zbriti nga automjeti dhe gjatë përplasjes fizike dyshohet se u godit të paktën një herë me thikë në kurriz.
Atij iu dha ndihma e parë pranë një lokali dhe më pas u nis drejt spitalit me makinën e tij nga persona të pranishëm, por nuk arriti të mbijetojë, duke ndërruar jetë gjatë rrugës.
Pashollari ishte ish-gardian burgu dhe në vitin 2020 ishte akuzuar për tentativë për t’i futur alkool në qeli Emiljano Shullazi.


