DIBËR-Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të mërkurë në Dibër, ku një efektiv i forcave “Shqiponja” ka mbetur i plagosur gjatë një operacioni për kapjen e një personi shumë të kërkuar.
Sipas burimeve paraprake, ngjarja ka ndodhur në momentin kur forcat e policisë janë futur në një banesë trekatëshe për të arrestuar autorin e dyshuar. Gjatë ndërhyrjes, efektivi i “Shqiponjave”, 40-vjeçari Gentjan Meda dyshohet se ka rënë nga një lartësi. Rrethanat e ngjarjes nuk dihen por nuk përjashtohet mundësia që ai të mund të jetë plagosur me armë zjarri.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se janë dëgjuar edhe krisma armësh, por rrethanat e sakta mbeten ende për t’u sqaruar policia.
Efektivi i plagosur fillimisht ka marrë ndihmën e parë në spitalin e Peshkopisë, ndërsa më pas është transportuar me helikopter drejt Tiranës për mjekim më të specializuar.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Vendimi”, për kapjen e një shtetasi të shpallur në kërkim. Ekzekutohet vendimi i Gjykatës së Apelit për 35 vjeçarin, për vuajtjen e dënimit me 6 vite, 7 muaj e 2 ditë burg të mbetur, për veprat penale “Organizatë kriminale”, “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Trafikim i lëndëve narkotike”, vepra të kryera në Itali.
Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, bazuar edhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore për një shtetas të kërkuar, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, në bashkëpunim me Forcat e Posaçme “Shqiponja” të DVP Dibër, në orët e para të mëngjesit të sotëm, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Vendimi”.
Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe të koordinuara, në Maqellarë u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit Klodian Llomi (Mazari)., 35 vjeç, banues në fshatin Kërçisht, Maqellarë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Apelit, ka njohur dënimin e Gjykatës së Apelit të Romës në Itali, ku ka për të vuajtur dënimin e mbetur 6 vite, 7 muaj e 2 ditë burg për veprat penale “Organizatë kriminale”, “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Trafikim i lëndëve narkotike”.
Ndërkohë, gjatë zhvillimit të këtij operacioni, një punonjës policie i Forcës së Posaçme “Shqiponja”, inspektor G.M., gjatë kapjes së personit në kërkim është rrëzuar nga një mur rrethues, duke pësuar dëmtime trupore.
Punonjësi i policisë është transportuar me helikopter në drejtim të Tiranës, për ndihmë mjekësore më të specializuar.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme./Radar.al


