Pas vdekjes së Nemesio Oseguera, liderit të kartelit Jalisco New Generation (CJNG), Meksika është përfshirë nga një valë dhune që ka shkaktuar të paktën 60 viktima në 20 shtete. Qeveria meksikane njoftoi se situata e sigurisë në Jalisco është stabilizuar, por spekulimet për pasardhësin e kartelit kanë nisur.
Sipas raportimeve, kandidati kryesor për të marrë drejtimin është Juan Carlos Valencia Gonzalez, djali i adoptuar i El Menchos. I njohur edhe si El Pelón, Tricky Tres dhe O3, 41-vjeçari ka shtetësi të dyfishtë amerikane dhe meksikane, pasi lindi në Santa Ana, Kaliforni, në vitin 1984.

Juan Carlos është i dyshuari kryesor për lidhje me trafikun e drogës dhe dhunën e CJNG, që nga viti 2007. Agjencia Amerikane e Zbatimit të Drogës (DEA) e ka identifikuar si përgjegjës për prodhimin dhe shpërndarjen e tonelatave droge dhe për përdorimin e dhunës. Ai u padit nga SHBA në vitin 2020 për komplot për shpërndarje të substancave të kontrolluara dhe përdorim të armëve gjatë transaksioneve të drogës, ndërsa për arrestimin e tij ofrohej shpërblim 5 milionë dollarë.
Në dokumentet e DEA-s, Juan Carlos ishte konsideruar si “i dyti në komandë de facto” i kartelit para vdekjes së El Menchos. Megjithatë, analistët vlerësojnë se ai ende nuk ka ndikimin e plotë midis udhëheqësve të tjerë të kartelit.
Përveç tij, pak opsione të tjera ekzistojnë për drejtimin e kartelit: vëllai më i madh i El Menchos, Antonio Oseguera Cervantes, është arrestuar, ndërsa djali tjetër, Ruben Oseguera Gonzalez, është dënuar me burgim të përjetshëm dhe konfiskim të 6 miliardë dollarëve të lidhur me drogën.

Ekspertët paralajmërojnë se sapo karteli të riorganizohet, cikli i dhunës që shpërtheu pas vrasjes së El Menchos mund të rikthehet me operacione të dhunshme, bllokada dhe zjarrvënie të dyqaneve, duke shkaktuar një valë të re “narkoterrorizmi” në Meksikë.


