Një zyrtar i klubit austriak SC Rheindorf Altach është dënuar me shtatë muaj burg dhe 1,200 euro gjobë, pasi u shpall fajtor për regjistrimin e fshehtë të videove dhe fotografive në dhomat e zhveshjes, palestra dhe dushet e ekipit të futbollit të femrave të klubit.
Gjykata vendosi gjithashtu që ai të paguajë 625 euro kompensim për secilën prej viktimave. Sipas prokurorisë, rreth 30 lojtare janë identifikuar në materialet e sekuestruara, mes tyre edhe të mitura.
I dënuari kishte punuar për klubin, që militon në elitën e futbollit austriak, nga viti 2020 deri në vitin 2025. Sipas mediave lokale, ai kishte qenë gjithashtu arbitër i nivelit të lartë në Zvicër.
Reagime të forta erdhën nga ish-lojtarja e Altach, Eleni Rittmann, e cila aktualisht aktivizohet me Thonon Evian Grand Genève FC në Francë. Në një postim në Instagram, ajo e cilësoi dënimin të pamjaftueshëm.
“Kjo më lë pa fjalë. Autori ishte jo vetëm arbitër i nivelit të lartë në Zvicër, por edhe zyrtar në klub. Dhe pikërisht aty ka filmuar lojtaret, përfshirë të mitura. A është ky një dënim i duhur?”, shkroi ajo.
Rittmann theksoi se ngjarja ka lënë pasoja të thella psikologjike te lojtaret. “Ne ndiheshim të sigurta në dhomën tonë të zhveshjes, por privatësia jonë u shkel rëndë. Disa prej nesh ende nuk ndihen të sigurta në dushe publike. Për mua, ky nuk është një sinjal i mjaftueshëm se shoqëria jonë nuk e toleron këtë sjellje,” shtoi ajo.
Gjatë gjyqit u lexua edhe një deklaratë e përbashkët e viktimave: “Ne jemi gra të reja, disa ende vajza. Ajo që ndodhi na ka hequr gjithçka. Për vite na u tha se dhoma e zhveshjes ishte shtëpia jonë, por kjo shtëpi u shkatërrua nga dikush që mendonim se ishte pjesë e familjes sonë.”
Çështja pritet të mos mbyllet me kaq, pasi prokurori ka kërkuar kohë shtesë për të shqyrtuar mundësinë e apelimit të vendimit.


