Mesfushori kosovar, Valon Berisha, ka përjetuar një moment dramatik, pasi kushëriri i tij humbi jetën në një aksident të rëndë rrugor në Austri.
Ngjarja ndodhi të dielën në mëngjes në autostradën Westautobahn. 38-vjeçari po udhëtonte me një furgon kur automjeti doli nga rruga dhe u përplas ballë për ballë me një barrierë druri.
Berisha, i cili aktivizohet me FC Zürich, ndodhej me makinën e tij përpara automjetit të aksidentuar dhe e pa tragjedinë përmes pasqyrës së pasme. Ai u ndal menjëherë për të ofruar ndihmën e parë, së bashku me persona të tjerë që ndodheshin në vendngjarje.
Pavarësisht përpjekjeve të ekipit të urgjencës, 38-vjeçari u shpall i vdekur në vend.
Në një deklaratë zyrtare, FC Zürich u shpreh thellësisht i tronditur nga lajmi, duke theksuar se lojtari nuk ishte i përfshirë drejtpërdrejt në aksident, por ishte dëshmitar i ngjarjes. Klubi deklaroi se do ta mbështesë plotësisht Berishën në këtë moment të vështirë.


