Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, foli para mediave pas takimit me kreun e Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, duke theksuar se për zgjedhjen e Presidentit nevojitet një marrëveshje e gjerë politike.
Kurti u shpreh se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka garuar me një emër për President gjatë zgjedhjeve dhe aktualisht nuk i ka votat e nevojshme për ta zgjedhur kreun e shtetit.
Ai theksoi se Vetëvendosje me partnerët mund të sigurojë vetëm 66 vota, ndërkohë që për dy raundet e para kërkohen 80 vota (dy të tretat e Kuvendit).
“Na duhen dy të tretat për zgjedhjen e Presidentit. Ne si Vetëvendosje nuk kemi garuar me një kandidat për President gjatë zgjedhjeve. As partitë opozitare nuk kanë një emër. Duhet ta gjejmë një zgjidhje ndërmjet tri forcave politike”, deklaroi Kurti.
I pyetur për Presidenten aktuale, Vjosa Osmani, ai tha se nuk ka ndonjë favorizim konkret, duke shtuar se i mungojnë të paktën 14 vota për të arritur shumicën e nevojshme.
“Nëse ka marrëveshje me LDK-në, shkojmë te numri 81, ku nuk duhet të mungojë asnjë deputet në sallë”, tha ai.
Kurti konfirmoi gjithashtu se kishte qëndruar në Prekaz, ku ishte takuar me familjen Jashari, por theksoi se çështja e Presidentit kërkon konsensus të gjerë dhe komunikim të drejtpërdrejtë mes partive politike.


