Korridori 8, që nis nga kompleksi portual Durrës–Porto Romano dhe shtrihet drejt Detit të Zi, është përfshirë zyrtarisht në planet dhe infrastrukturën kritike ushtarake të NATO-s. Ai është njohur tashmë si një korridor sigurie me rëndësi për mbrojtjen kolektive të Aleancës.
Lajmi u bë i ditur nga ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, pas përfundimit të Ministerialit të Ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s, të mbajtur në Bruksel.
Ky zhvillim e vendos Shqipërinë në një pozicion kyç brenda arkitekturës së sigurisë euroatlantike, duke e kthyer vendin në një nyje strategjike të planeve rajonale dhe të infrastrukturave ku Aleanca pritet të përqendrojë vëmendjen në vitet e ardhshme.
Ministri Vengu theksoi se përfshirja e Korridorit 8 është rezultat i një pune disa vjeçare të qëndrueshme dhe të mirëkoordinuar.
“Kjo është një arritje konkrete që e pozicionon Shqipërinë në zemër të planeve rajonale dhe të infrastrukturave ku Aleanca do të përqendrohet në vijim,” u shpreh ai.
Në fokus të diskutimeve në ministerial ishte edhe e ardhmja e operacioneve ku kontribuon Shqipëria, veçanërisht misioni i KFOR-it në Kosovë. Sipas Vengut, vendi ynë do të rrisë kapacitetet dhe angazhimin në këtë mision, për herë të parë edhe me përfshirjen e forcës ajrore.
Ai bëri me dije se, në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Komandën Amerikane në Europë, po zhvillohen rivlerësime për të ardhmen e misionit të KFOR-it. Sipas tij, kjo përbën një mundësi të mirë për qeverinë e re në Kosovë që të thellojë bashkëpunimin me NATO-n.
Një tjetër çështje e trajtuar ishte rritja e investimeve në mbrojtje dhe ristrukturimi i industrisë ushtarake në vendet aleate. Ministri theksoi se Shqipëria ka nisur me vendosmëri këtë proces, duke krijuar kapacitete të reja në industrinë e mbrojtjes përmes kontratave të nënshkruara dhe të tjera në negociim.
Ndërkohë, kanë filluar edhe përgatitjet për Samitin e NATO-s që do të mbahet në Tiranë në vitin 2027, në bashkëpunim me palën turke dhe sekretariatin e Aleancës në Bruksel.


