Serbia ka reaguar ashpër ndaj nismës së Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë për thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, përfshirë zhvillimin e ushtrimeve të përbashkëta ushtarake.
Reagimi i Beogradit erdhi pas takimit trilateral të zhvilluar të mërkurën në Shkodër mes shefave të shtabeve të përgjithshme të Shqipërisë dhe Kroacisë, si dhe komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ministria e Mbrojtjes e Serbisë e cilësoi këtë bashkëpunim si “provokim”, “presion” dhe “kërcënim për paqen dhe stabilitetin në rajon”.
Sipas deklaratës zyrtare, bashkëpunimi ushtarak mes tre vendeve paraqet sfidë sigurie për Serbinë dhe për serbët në Kosovë.
Takimi në Shkodër vjen pas një tjetër mbledhjeje të zhvilluar më 30 janar në Zagreb, ku morën pjesë drejtorët e politikave të mbrojtjes dhe armatimit të tre vendeve. Të dyja takimet zhvillohen në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit për mbrojtjen dhe sigurinë, të nënshkruar më 18 mars 2025 në Tiranë nga Shqipëria, Kosova dhe Kroacia.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, njoftoi përmes një postimi në rrjetin social “X” se në vitin 2026 do të zhvillohet një stërvitje e përbashkët trepalëshe, si pjesë e kësaj marrëveshjeje.
“Fokusi i këtij bashkëpunimi është forcimi i koordinimit ushtarak dhe operativitetit në terren, si dhe një lexim sa më i qartë i kapaciteteve të tre vendeve. Një vend të veçantë zënë ushtrimet e përbashkëta dhe adresimi i sfidave të sigurisë, përfshirë kërcënimet hibride. Kjo stërvitje do të zhvillohet në përputhje të plotë me objektivat euroatlantike dhe konceptin strategjik të NATO-s”, theksoi Vengu.


