Pjesë të mëdha të Spanjës dhe Portugalisë janë vendosur në alarm të lartë për shkak të reshjeve intensive dhe erërave të forta që kanë përfshirë Gadishullin Iberik, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në infrastrukturë, ndërprerje të transportit dhe mbyllje shkollash, raportoi “Reuters”.
Në Portugali, një viadukt në autostradën A1, që lidh Lisbonën me Porton, u shemb pjesërisht pranë qytetit të Koimbrës. Sipas ministrit të Infrastrukturës, Miguel Pinto Luz, situata ishte e pazakontë për shkak të “shpejtësisë dhe forcës së ujit”.
Autoritetet konfirmuan se nuk ka persona të plagosur, por paralajmëruan se rikthimi i plotë i infrastrukturës mund të zgjasë disa javë. Segmenti i autostradës ishte mbyllur në të dy drejtimet pak orë para shembjes, pasi ishte konstatuar dëmtim i një dige mbrojtëse.
Rreth 15 kamionë të ngarkuar me gurë dhe inerte u angazhuan për të përforcuar zonën e dëmtuar dhe për të parandaluar erozionin e mëtejshëm.
Ngjarja vjen pas një serie stuhish vdekjeprurëse që kanë goditur Portugalinë javët e fundit. Pas cikloneve “Kristin”, “Leonardo” dhe “Marta”, vendi ndodhet sërish në alarm për shkak të rrezikut të përmbytjeve.
Një fenomen i njohur si “lumë atmosferik” – një korridor i gjerë avujsh uji që transporton lagështi nga tropikët – solli reshje të reja intensive, veçanërisht në veri të vendit.
Instituti Portugez i Detit dhe Atmosferës (IPMA) bëri të ditur se stuhia “Oriana” nuk pritet të godasë drejtpërdrejt territorin kontinental, por do të sjellë reshje të dendura dhe erëra të forta në shumicën e zonave gjatë ditëve në vijim.
Ministrja e Mjedisit, Maria da Graça Carvalho, deklaroi se vetëm në dy ditë sasia e reshjeve ka arritur në 20% të mesatares vjetore të vendit.
Ndërkohë, qeveria përballet me presion politik lidhur me menaxhimin e krizës, pas dorëheqjes së ministres së Brendshme, Maria Lucia Amaral, e cila u zëvendësua nga Miguel Pinto Luz.
Alarm i kuq edhe në Spanjë
Situata mbetet kritike edhe në Spanjë. Autoritetet shpallën alarm të kuq – niveli më i lartë i paralajmërimit – në rajonet veriore të Galicias, Kantabrisë dhe Baskisë pas mbërritjes së stuhisë “Nils”, e teta që godet vendin këtë vit.
Agjencia meteorologjike AEMET paralajmëroi për dallgë që mund të arrijnë deri në nëntë metra.
Në Katalonjë, të paktën pesë persona u plagosën, një prej tyre në gjendje të rëndë. Autoritetet mbyllën shkollat, pezulluan aktivitetet sportive dhe kufizuan shërbimet shëndetësore jo emergjente. Erërat me shpejtësi mbi 105 km/h rrëzuan pemë dhe shkaktuan ndërprerje në trafikun rrugor dhe hekurudhor.
Gadishulli Iberik konsiderohet një nga zonat më të prekura nga ndryshimet klimatike në Evropë, duke përjetuar valë të gjata të të nxehtit dhe episode gjithnjë e më të shpeshta e intensive të reshjeve ekstreme.


