Këshilli i Ministrave ka vendosur rritjen e pagave për punonjësit e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit (MZSH), për vitin buxhetor 2026.
Sipas vendimit të propozuar nga Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, e gjithë struktura e pagave do t’i nënshtrohet një indeksimi prej 2.5%, në reflektim të rritjes së përgjithshme të kostos së jetesës.
Përtej këtij indeksimi, qeveria ka vendosur një rritje shtesë për gradat operative, që janë në vijën e parë të shërbimit:
asistent zjarrfikës
zjarrfikës
kryezjarrfikës
nënkomisar zjarrfikës
komisar zjarrfikës
Gradat më të larta hierarkike do të përfitojnë vetëm indeksimin prej 2.5%, pa rritje shtesë.
Efekti financiar i vendimit do të mbulohet nga buxheti i institucioneve qendrore dhe nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, përmes transfertave të miratuara në Buxhetin e vitit 2026 dhe të ardhurave të veta.
Ndryshimet do të hyjnë në fuqi gjatë vitit 2026 dhe do të prekin gjithë strukturën e pagave të punonjësve të MZSH-së në nivel kombëtar.

