Një skemë mashtruese fiskale me shitje fiktive në vlerën rreth 150 milionë lekë është zbuluar nga autoritetet, duke çuar në arrestimin e një personi në Tiranë. Si pasojë e kësaj veprimtarie, buxhetit të shtetit i është shkaktuar një dëm financiar prej mbi 62 milionë lekësh.
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, u arrestua shtetasi Gj.F., i dyshuar për veprat penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH)” dhe “Fshehja e të ardhurave”, të parashikuara nga nenet 144/a dhe 180 të Kodit Penal.
Nga hetimet e kryera në kuadër të procedimit penal nr. 5787, të vitit 2024, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Tatimor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Seksionin e Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit, ka rezultuar se subjekti tregtar “Dorina Fela” ka realizuar shitje të dyshuara fiktive në vlerën totale 149,875,867 lekë.
Si pasojë e deklarimeve të pavërteta dhe përdorimit të faturave fiktive, është shkaktuar një dëm i përllogaritur ndaj buxhetit të shtetit prej 62,670,861 lekësh. Këto veprime kishin për qëllim përfitimin e padrejtë të kreditimit të TVSH-së dhe uljen e bazës së tatueshme për Tatimin mbi Fitimin.
Sipas prokurorisë, shtetasi i arrestuar ka pasur rol organizues dhe drejtues në këtë skemë mashtruese, duke përdorur subjektin tregtar në emër të bashkëshortes së tij për realizimin e veprimtarisë së paligjshme.
Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe për dokumentimin e plotë të pasojave financiare të kësaj skeme mashtruese.


