Një ngjarje e dhunshme në trafik ka përfunduar me arrestimin e një 48-vjeçari nga Laçi. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, në bashkëpunim me Policinë Nr. 1 në Tiranë, vunë në pranga I. Ll., pas dyshimeve se kishte ushtruar dhunë ndaj ish-bashkëshortes së tij.
Policia bën me dije se 48-vjeçari dyshohet se i ka bllokuar automjetin ish-gruas në aksin rrugor “Laç-Patok”, e cila ishte e pajisur me urdhër mbrojtjeje. Për pasojë, ka ndodhur përplasja mes dy mjeteve, ku fatmirësisht nuk pati persona të lënduar, por vetëm dëme materiale.
Pas incidentit, 48-vjeçari dyshohet se ka marrë një mjet të fortë dhe ka thyer xhamin e automjetit të ish-bashkëshortes, veprim për të cilin u procedua penalisht.
Policia ka nisur hetimet dhe ka arrestuar të dyshuarin, ndërsa materiali i mbledhur do t’i dërgohet Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
“Veprimet e këtij shtetasi përbëjnë shkelje të ligjit dhe cenim të urdhrit të mbrojtjes, ndaj policia ndërhyri menjëherë,” njofton burimi zyrtar.


