Angelo Haruni ishte banori që u eliminua nga gara e Big Brother VIP Albania 5 gjatë mbrëmjes së së shtunës. Pas daljes nga shtëpia, ai ishte i ftuar në emisionin Fan Club, ku foli hapur për marrëdhëniet e krijuara gjatë qëndrimit të tij në reality show.
I pyetur nga moderatorja Kiara Tito se përse nuk u dashurua brenda shtëpisë, Angelo u shpreh se në fillim kjo ishte e pamundur, pasi shumica e vajzave ishin të lidhura. Sipas tij, vetëm në fund të eksperiencës mund të kishte nisur diçka, veçanërisht me Krusitën.
“Në fillim nuk kishte hapësirë, sepse vajzat ishin të zëna. Nga fundi, mendoj se mund të kishte nisur diçka. Ishte edhe Krusita,” u shpreh ai.
Gjatë diskutimit, Angelo theksoi se mes Krusitës dhe Kristit nuk ka pëlqim romantik, por një raport që ai e cilëson si vëlla-motër. “Krusita i kishte sytë nga unë, por unë isha i rrezikuar atë javë dhe nuk doja të nxisja asgjë,” shtoi ai.
Në Fan Club, Angelo foli gjithashtu edhe për ish-partneren e tij, për të cilën kishte rrëfyer më herët gjatë “linjës së jetës”. Ai pranoi se lidhja trevjeçare me Neadën vazhdon ta ndikojë emocionalisht.
“Një lidhje trevjeçare nuk hidhet lehtë poshtë. Më ndikon ende,” tha Angelo, duke shtuar se prej një viti nuk kanë pasur komunikim.
Në fund, ai i dërgoi edhe një mesazh ish-partneres së tij: “Trego anën më të mirë të vetes dhe kthehu te njeriu pozitiv që di të jesh.”2


