Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, mori pjesë në Forumin e Dialogut “Edhe disa hapa drejt BE-së”, të organizuar në Vlorë nga ambasadori i Shqipërisë në Austri, Fate Velaj. Ajo ishte pjesë e panelit të diskutimit së bashku me raporterin për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder, ambasadoren e Francës në Shqipëri, Catherine Suard, dhe ambasadorin e Spanjës, Gabriel Ventura.
Në fjalën e saj, Spiropali u ndal në arritjet konkrete të Shqipërisë në procesin e integrimit europian, duke theksuar se në vetëm 13 muaj, nga tetori 2024 deri në nëntor 2025, vendi ka hapur 33 kapituj negociues me Bashkimin Europian. Sipas saj, ky progres është rezultat i një vizioni të qartë politik, pune të përditshme dhe koordinimi të ngushtë me Komisionin Europian dhe vendet anëtare.
Ministrja theksoi se miratimi i paketës së fundit legjislative në Kuvend i ka dhënë procesit seriozitetin e nevojshëm për të kaluar në fazën tjetër të negociatave, duke nënvizuar se viti 2026 do të jetë vendimtar, me objektivin për mbylljen e kapitujve brenda vitit 2027.
Spiropali tha se reformat e ndërmarra nuk janë thjesht për të përmbushur kritere europiane, por për të ndërtuar një shtet më të drejtë, institucione demokratike të qëndrueshme dhe një ekonomi më konkuruese, që sjell më shumë mirëqenie për qytetarët. Sipas saj, integrimi europian nuk është më vetëm aspiratë, por një proces i mbështetur në kapacitete reale shtetërore.
Ajo nënvizoi gjithashtu se zgjerimi i Bashkimit Europian është një domosdoshmëri strategjike, sidomos në një kohë tensionesh ndërkombëtare dhe sfidash për sigurinë europiane. Në këtë kontekst, Spiropali theksoi se Shqipëria nuk kërkon vetëm anëtarësim në BE, por edhe të kontribuojë aktivisht në projektin europian, duke qenë plotësisht e linjëzuar me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së Unionit.
Në përfundim, ministrja deklaroi se Shqipëria ka nevojë për Bashkimin Europian, por edhe Bashkimi Europian ka nevojë për Shqipërinë, për një Ballkan Perëndimor të ankoruar fort në Europë dhe për një zgjerim që forcon stabilitetin dhe sigurinë e kontinentit.


