Sanksionet e detyrojnë Rusinë t’i rinxjerrë në përdorim avionët e epokës sovjetike
Rusia po i rinxjerrë në përdorim disa lloje avionësh, për shkak se sanksionet ia kanë kufizuar mundësitë vendit për ta mirëmbajtur flotën e avionëve të udhëtarëve.
Avionët që po rikthehen në shërbim përfshijnë edhe një model të projektuar në Ukrainë, i cili ishte nxjerrë jashtë përdorimin për shkak të shqetësimeve rreth sigurisë.
Media pro-Kremlinit, Izvestia, raportoi më 19 janar se 12 avionë do të “riaktivizohen” nga linjat ajrore ruse në vitin 2026.
Dhjetë avionë tashmë u janë dorëzuar linjave ajrore për ta përballuar rënien e numrit të avionëve në flotë, “e cila po përkeqësohet nga sanksionet”, sipas raportit.
Sanksionet e vendosura pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Moska e kanë penguar Rusinë të blejë avionë ose pjesë këmbimi të prodhimit perëndimor. Rreth 75 për qind e flotës ajrore komerciale të Rusisë është ndërtuar në Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian ose Kanada.
Avionët që po rikthehen në shërbim përfshijnë një avion Antonov An-148, një model reaktiv i projektuar në Ukrainë, i cili ishte ndaluar në Rusi që nga viti 2018 pas një rrëzimi në shkurt të atij viti, ku humbën jetën të 71 udhëtarë në bord.
E gjithë flota ruse prej më shumë se dy duzinë avionësh të këtij modeli u nxor nga shërbimi pas aksidentit dhe, në maj të po atij viti, Kuba ndaloi linjën e saj ajrore kombëtare të fluturonte një version të së njëjtit avion.
Avionë të tjerë që po kthehen në shërbim komercial janë Ilyushin Il-96 dhe Tupolev Tu-204/214 me rreze të mesme. Të dy këta avionë kryen fluturimet e tyre të para në vitet e fundit të Bashkimit Sovjetik.
Avioni Tupolev aktualisht përdoret nga linjat ajrore kombëtare të Koresë së Veriut dhe Kubës, të cilat janë të prekura nga sanksionet, si dhe nga kompania ruse Red Wings Airlines. Një version i avionit të pasagjerëve Ilyushin për fluturime të gjata shërben si avioni presidencial i Vladimir Putinit.
Avionë të tjerë Tu-204/214 përdoren nga linja ajrore kombëtare e Kubës dhe nga një kompani ruse e transportit ajror të mallrave./REL


