Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetin social X lidhur me protestën e zhvilluar një ditë më parë nga Partia Demokratike, duke e cilësuar atë si një akt dhune të organizuar dhe të papranueshëm për një vend që synon standardet europiane.
Në reagimin e tij, Rama thekson se në Europë ekzistojnë forma të ndryshme protestash dhe protestuesish, që variojnë nga anarkistë, ekologjistë e studentë, deri te grupe ekstremiste, të cilët shpesh kryejnë akte vandalizmi, dëmtojnë prona publike dhe plagosin punonjës policie. Megjithatë, sipas tij, vetëm një parti parlamentare në Europë e ka pasur dhunën si pjesë të pandarë të aktivitetit të saj politik që nga themelimi.
“Kjo parti ka në program shkatërrimin e pronës, sulmin ndaj institucioneve dhe mobilizimin e paramilitarëve, të cilët deri dje ishin çeta e liderit shpirtëror, ndërsa sot janë mercenarë të rekrutuar me para nga rrugaçët e lagjeve”, shkruan Rama në reagimin e tij.
Kryeministri shton se protestat e fundit kanë lënë pas ndotje dhe shkatërrim në bulevard, duke i cilësuar si shenjë të një degjenerimi të thellë dhe dëshpërimi politik. Në përfundim, Rama u ka uruar shërim të shpejtë punonjësve të Policisë së Shtetit që mbetën të plagosur gjatë protestës.


