Një 38-vjeçar i shpallur në kërkim është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi rezulton i dënuar me 7 vite e 6 muaj burgim për veprën penale të shfrytëzimit të prostitucionit.
Rezart Hyskollari u kap në zonën e Liqenit të Thatë, si rezultat i një operacioni policor të zhvilluar nga Shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve. Operacioni u finalizua pas sigurimit të informacionit në rrugë operative, sipas të cilit shtetasi i shpallur në kërkim fshihej në këtë zonë.
Sipas vendimit të Gjykatës së Durrësit, në vitin 2019, Hyskollari është dënuar me 7 vjet e 6 muaj burgim për “Shfrytëzimin e prostitucionit”. Nga ky dënim, atij i kanë mbetur për të vuajtur edhe 5 vite burgim.
Policia bëri me dije se operacioni u kodua “Dënimi”, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.


