Në kuadër të programit qeveritar “Paketa e Maleve”, Këshilli i Ministrave ka shpallur këtë të mërkurë disa zona me përparësi zhvillimi të ekonomisë malore në bashkitë Dibër, Memaliaj dhe Tepelenë.
Sipas vendimit, zonat e përcaktuara do të përfshihen në politika të posaçme që synojnë zhvillimin ekonomik, industrial dhe turistik, me qëllim nxitjen e investimeve dhe rritjen e aktivitetit ekonomik në territoret malore.
Në bashkinë Dibër, zona me përparësi zhvillimi janë shpallur:
në Bjeshkët e Korabit, Hinoskës, Gramës dhe Zimurit;
në fshatrat Brezhdan, Kallë, Lashkizë, Lugjej, në zonën e Lurës, si dhe në Qa (Prat), Sllatinë dhe Lan–Lurë;
si dhe në livadhet e Kallës–Vleshë, luginën e lumit Drin dhe fshatrat Selishtë, Luzni dhe Rabdisht.
Në bashkinë Memaliaj, zona zhvillimore janë përcaktuar në fshatrat Arrëz e Madhe, Maricaj dhe Vagalat, në njësinë administrative Buz, si edhe në fshatin Rabie.
Ndërkohë, në bashkinë Tepelenë, zona me përparësi zhvillimi të ekonomisë malore janë shpallur sipërfaqe toke në njësitë administrative Kurvelesh, Lopës dhe Qendër-Tepelenë.
Programi “Paketa e Maleve” synon të krijojë kushte më të favorshme për investime, punësim dhe zhvillim të qëndrueshëm në zonat malore të vendit.


