Xhuli Meçaj, motra e 46-vjeçarit të dhunuar Altin Meçaj, ka reaguar pas publikimit të disa mesazheve në rrjetet sociale, duke bërë thirrje për qetësi dhe drejtësi. Ajo thekson se mesazhet janë të manipuluara dhe nuk pasqyrojnë realitetin.
“Mjaft më me këtë telenovelë. Drejtësia duhet të thotë fjalën e saj,” deklaroi Xhuli, duke kërkuar që ngjarja të trajtohet pa spekulime dhe që zbardhja e së vërtetës t’i lihet organeve të drejtësisë.
Motra e viktimës shtoi se familja Meçaj nuk kërkon hakmarrje, por vetëm drejtësi: “Ne nuk e dëshirojmë hakmarrjen. Kërkojmë vetëm drejtësi dhe zbardhje të së vërtetës,” tha ajo, duke apeluar për ndalimin e gjuhës së urrejtjes dhe presionit publik mbi palët e përfshira.
Xhuli Meçaj gjithashtu nënvizoi respektin që familja e saj ka ndaj familjes Lamaj, pavarësisht situatës, dhe theksoi se dhuna ndaj të moshuarve është e pafalshme dhe e dënueshme ligjërisht dhe moralisht.
Institucionet përgjegjëse pritet të vazhdojnë hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa familjarët bëjnë thirrje që çështja të mos kthehet në një “gjyq publik”, por të trajtohet sipas ligjit.


