TIRANË– Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin e koduar “Operacionalja 77”, i zhvilluar nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale e DPPSH-së në bashkëpunim me autoritetet italiane.
Si rezultat i këtij bashkëpunimi, përmes specialistëve të Drejtorisë së Interpolit, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit Alesjo Abdija, 38 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Abdija ishte dënuar në vitin 2024 nga Gjykata e Perugias, Itali, me 6 vjet e 6 muaj burgim për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, e kryer në bashkëpunim.
Arrestimi i tij u krye me qëllim ekstradimin drejt shtetit italian, ku do të vuajë dënimin e dhënë nga autoritetet e drejtësisë.
Njoftimi:
Policia e Shtetit/Finalizohet nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale e DPPSh-së, operacioni i koduar “Operacionalja 77”.
I dënuar nga autoritetet në Itali, me 6 vjet e gjysmë burgim, si bashkëpunëtor për trafikimin e lëndëve narkotike, kapet me qëllim ekstradimin, 38-vjeçari.
Si rezultat i shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit të veprimeve operacionale, me partnerët italianë, realizuar nëpërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpolit, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale të DPPSh-së finalizuan operacionin e koduar “Operacionalja 77”.
Në kuadër të operacionit u lokalizua, u kap dhe u arrestua provizorisht, me qëllim ekstradimin në Itali, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar, Alesjo Abdija, 38 vjeç.
Në vitin 2024, Gjykata e Perugias, Itali, e ka dënuar me 6 vjet e 6 muaj burgim, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.
Vijon bashkëpunimi ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e këtij shtetasi, në Itali./Radar.al


