Reshjet e dendura të shiut gjatë orëve të fundit, përveç përmbytjeve të regjistruara në disa qytete të vendit, kanë krijuar një situatë alarmante edhe në zonën e “Ali Demit” në Tiranë.

Një trotuar, i ndodhur pranë një kantieri ndërtimi të hapur prej muajsh, është shembur dhe ka përfunduar brenda perimetrit të kantierit. Si pasojë e rrëshqitjes së dheut, janë mbuluar edhe disa skela të vendosura për punimet e godinës, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi sigurinë dhe masat mbrojtëse të zbatuara nga firma ndërtuese.

Banorët e zonës shprehen se, fatmirësisht, në momentin e shembjes nuk ka pasur kalimtarë që të bien në kantier, pasi pasojat mund të kishin qenë tragjike. Ata akuzojnë firmën për neglizhencë dhe mungesë përgjegjësie, ndërsa kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet përkatëse për të garantuar sigurinë publike dhe për të mbajtur përgjegjës shkaktarët e këtij incidenti.
Nga ana tjetër firma pretendon se shembja ka ardhur nga bllokimi i kolektorit. Ndërkohë që po bëhen verifikime të mëtejshme.

Burime për Radar.al bëjnë me dije se “referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin E. M., pasi dyshohet se gjatë disa punimeve të ndërtimit, për llogari të subjektit ku është i punësuar si inxhinier, është prishur muri rrethues i një shkolle”.



