Ashensorët, të cilët përdoren çdo ditë nga mijëra qytetarë në pallate banimi dhe ambiente pune, vijojnë të përbëjnë një rrezik serioz për sigurinë kur nuk regjistrohen, nuk mirëmbahen dhe nuk inspektohen sipas kërkesave ligjore.
Për këtë arsye, Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT) ka dalë me një apel publik, duke theksuar se siguria e ashensorëve nuk është çështje zgjedhjeje, por detyrim ligjor.
Sipas ISHMT-së, kuadri ligjor në fuqi, që rregullon sigurinë e ashensorëve dhe administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesa, përcakton qartë përgjegjësitë e administratorëve dhe shoqërive administruese. Ata janë përgjegjës për regjistrimin e çdo ashensori pranë ISHMT-së, lidhjen e një kontrate të vlefshme mirëmbajtjeje me subjekte të licencuara, si dhe për kryerjen e inspektimeve periodike teknike brenda afateve të përcaktuara.
Legjislacioni shqiptar, i harmonizuar me standardet europiane, kërkon që ashensorët të jenë të sigurt gjatë gjithë ciklit të përdorimit. Për ashensorët në ndërtesa banimi dhe bashkëpronësi, inspektimet duhet të kryhen të paktën një herë në vit, ndërsa për ashensorët në ambiente pune, kontrollet janë më të shpeshta.
ISHMT paralajmëron se mungesa e regjistrimit, e mirëmbajtjes së rregullt apo e inspektimeve teknike rrit ndjeshëm rrezikun e defekteve dhe aksidenteve, duke vënë në rrezik jetën e përdoruesve. Në raste shkeljesh, inspektorati ushtron kontrolle në terren dhe mund të vendosë masa administrative, deri në ndalimin e përdorimit të ashensorit, kur konstatohet rrezik serioz për sigurinë publike.


