Operacioni i koduar “Maduro Out” kishte nisur të përgatitej që në verën e kaluar, pasi ish-presidenti amerikan Donald Trump autorizoi CIA-n të ndërmerrte aksione të fshehta në Venezuelë. Shërbimet amerikane monitoruan në detaje lëvizjet e Nicolás Maduro, skemën e sigurisë së tij dhe bazën politike të regjimit, përmes infiltrimeve klasike dhe përdorimit të teknologjive të avancuara, përfshirë dronët. Paralelisht, Uashingtoni kërkoi kontakte brenda strukturave shtetërore dhe ushtarake venezueliane për të lehtësuar ndërhyrjen.
Në të njëjtën periudhë, sekretari i Shtetit Marco Rubio zhvilloi negociata të fshehta me Maduron, duke i ofruar disa herë një “rrugëdalje” politike, detajet e së cilës nuk u bënë publike. Pas dështimit të këtyre negociatave, ekipi politik i administratës Trump, së bashku me drejtuesit ushtarakë amerikanë, finalizoi planin për inkursionin.
Trump e miratoi operacionin katër ditë pas Krishtlindjeve, ndërsa nisja u shty përkohësisht për shkak të kushteve të pafavorshme të motit. Ora X u shënua natën e 2 janarit, kur mbi 150 avionë u ngritën nga baza të ndryshme amerikane dhe nga aeroplanmbajtëse në rajon. Dislokimi përfshinte avionë luftarakë F-35, bombardues B-1, dronë dhe njësi speciale të Delta Force.
Sulmet ajrore goditën objektiva strategjikë rreth Karakasit, përfshirë portin La Guaira, aeroporte dhe baza ushtarake, me synimin për të neutralizuar mbrojtjen ajrore. Më pas, helikopterët Apache transportuan njësitë e Delta Force drejt kompleksit ushtarak Fuerte Tiuna, ku ndodhej Maduro. Forcat speciale ndërprenë energjinë elektrike, depërtuan në perimetër dhe hynë në ndërtesë në orët e para të mëngjesit.
Sipas deklarimeve të Trump, përplasjet ishin të forta, por SHBA pretendon se nuk pati humbje në radhët e saj. Brenda 46 sekondash nga hyrja në dhomën ku ndodhej çifti presidencial, Nicolás Maduro u neutralizua dhe iu vendosën prangat. Agjentë të FBI-së i komunikuan atij urdhër-arrestin e lëshuar nga prokurorët e Nju Jorkut, duke theksuar se bëhej fjalë për një veprim zbatimi ligji dhe jo për një akt lufte.
Maduro dhe bashkëshortja e tij u nxorën me helikopter dhe u dërguan në një aeroplanmbajtëse amerikane në det të hapur. Pak më vonë, Trump publikoi një imazh të Maduros të arrestuar, duke e paraqitur operacionin si një demonstrim të fuqisë dhe vendosmërisë amerikane


