Moti i keq dhe stuhitë polare kanë shkaktuar kaos në transportin ajror në të gjithë Shtetet e Bashkuara, në kulmin e lëvizjeve për festat e fundvitit. Sipas të dhënave nga faqja e specializuar FlightAware dhe Shërbimi Kombëtar Meteorologjik (NWS), mijëra fluturime janë vonuar ose anuluar gjatë ditës së sotme, 26 dhjetor.
Reshje të dendura dëbore priten në zonën e Nju Jorkut nga orët e vona të së premtes deri në mëngjesin e së shtunës, si dhe në rajonin e Maleve Shkëmbore. Ndërkohë, rajoni i Liqeneve të Mëdha pritet të përballet me borë dhe breshër, duke vështirësuar më tej kushtet e udhëtimit.
Në bregun perëndimor, fenomeni i njohur si “lumi atmosferik”, që ka sjellë shira të rrëmbyeshëm dhe rrezik për përmbytje në Kaliforni, pritet të dobësohet drejt fundit të ditës, sipas parashikimeve të NWS.
Bilanci deri në orën 20:30 me orën evropiane tregon se 1.364 fluturime janë anuluar, ndërsa 4.267 të tjera janë vonuar, me aeroportet e Nju Jorkut dhe Çikagos ndër më të prekurit.
Autoritetet paralajmërojnë se në Nju Jork dhe në shtetin fqinj të Nju Xhersit mund të bien deri në 20 centimetra borë, duke u bërë thirrje qytetarëve të kufizojnë lëvizjet.
“Të gjithë banorët e Nju Jorkut duhet të jenë të përgatitur. Shmangni drejtimin e automjeteve nëse është e mundur dhe përdorni transportin publik”, deklaroi kryebashkiaku i qytetit, Eric Adams.
Situata pritet të mbetet e vështirë edhe në orët në vijim, ndërsa autoritetet po monitorojnë nga afër zhvillimin e kushteve ekstreme të motit.


