Festat e fundvitit kanë sjellë një rritje të ndjeshme të fluksit të udhëtarëve në Pikën e Kalimit Kufitar të Morinës, në Kukës.
Sipas Prefektit të qarkut të Kukësit, Dritan Baji, vetëm në dy ditët e fundit, nga data 24 deri mëngjesin e sotëm, kanë hyrë 18.189 udhëtarë dhe 6.466 automjete, ndërsa nga pika kufitare kanë dalë 19.925 shtetas dhe 7.173 automjete.
Numër të shtuar të lëvizjeve është regjistruar edhe në stacionet kufitare të Qafë-Prushit dhe Shishtavecit.
Qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës po lëvizin pa kontrolle kufitare që nga 1 nëntori i këtij viti, një masë që do të zgjasë deri më 28 shkurt 2026. Marrëveshja e nënshkruar mes dy qeverive mundëson qarkullim të lirë pa pasaportë apo kartë identiteti.
Kontrollet kufitare aplikohen vetëm për mjetet me targa të huaja, por me një procedurë të përshpejtuar për të shmangur pritjet e gjata në pikat më të frekuentuara, sidomos në Morinë dhe Vermicë.
Analistët vënë në dukje se, megjithë lehtësitë e qarkullimit, fluksi i lartë i fundvitit teston kapacitetin e infrastrukturës kufitare dhe nevojën për menaxhim më të mirë të lëvizjeve.


